Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja zhvillon një studim në Universitetin e Augsburgut mbi rolin e dialogut ndërfetar në reduktimin e dallimeve të diversitetit fetar në Gjermani

Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja, lektor në Kolegjin Universitar Bedër, mori pjesë në një studim shkencor afatshkurtër (STSM) në Universitetin e Augsburgut në Bavari, ku hulumtoi mbi rolin e dialogut ndërfetar në reduktimin e dallimeve të diversitetit fetar në Gjermani. Studimi është kryer dhe mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian nëpërmjet projektit akademik COST Action me temë: “Connecting Theory and Practical Issues of Migration and Religious Diversity” COREnet (Lidhja e teorisë dhe çështjeve praktike të migrimit dhe diversitetit fetar).

Prof. Kruja zgjodhi Gjermaninë për këtë studim sepse është një nga vendet më të mëdha në Bashkimin Evropian, që ka një numër të konsiderueshëm emigrantësh. Sot, ajo ka një diversitet kulturor e fetar dhe një kontribut të rëndësishëm në dialogun ndërfetar përmes shumë organizatave dhe institucioneve akademike, të cilat po punojnë për të forcuar dhe promovuar dialogun në Gjermani dhe më gjerë.

Studimi bazohej në një pyetësor të zhvilluar mbi punën dhe rolin e institucioneve akademike dhe OJQ-ve në Gjermani, të cilat promovojnë dialogun, si alternativë e vetme kundër gjuhës së urrejtjes.

Prof. Kruja filloi kërkimin e tij shkencor fillimisht në Universitetin e Augsburgut, pranë Prof. Dr. Elisabeth Naurath, lektore në këtë universitet dhe Presidente e Këshillit Ndërfetar të Gjermanisë. Gjatë këtij misioni shkencor ai vizitoi disa institucione të përfshira në dialogun ndërfetar, si dhe takoi studiues dhe aktivistë të dialogut ndërfetar në Munih, Augsburg, Frankfurt, Berlin, Nuremberg, Berlin dhe në Universitetin Potsdam, Gjermani.

Anketa që ai zhvilloi përbëhej nga 22 pyetje, të cilën e bashkëndau me 17 institucione akademike dhe ndërfetare në qytete të ndryshme të Gjermanisë, të angazhuara në zgjidhjen e problemeve të ndryshme të shoqërisë, nëpërmjet të të rinjtë me prejardhje të ndryshme etnike, kulturore dhe fetare për të promovuar diversitetin, si një pasuri dhe jo si një shkak për konflikt.

Institucionet e intervistuara janë shprehur se ata e shohin diversitetin, si një mundësi për të mësuar nga njëri-tjetri. Ata nuk i konsiderojnë dallimet si shqetësuese dhe nuk përpiqen t’i zvogëlojnë, por t’i harmonizojnë ato.

Prof. Kruja dhe Dr. Ana Uka, lektorë në KU Bedër janë gjithashtu anëtarë të Komitetit të Menaxhimit të këtij projekti, si përfaqësues të Shqipërisë.

 

Çfarë është një mision shkencor afatshkurtër (STSM) brenda COREnet?

Një Mision Shkencor Afatshkurtër, i financuar nga COST Action COREnet, konsiston në vizitën studimore në një institucion pritës jashtë vendit nga ku është studiuesi, me qëllim që të kryejë punë specifike kërkimore, si pjesë e një projekti studimor. Përveç qëllimeve kërkimore, Misionet e Shkurtra Shkencore (STSM) synojnë të forcojnë dhe të nxisin bashkëpunimin midis akademikëve nga universitete të ndryshme, si dhe të mbështesin mobilitetin e studiuesve.