Studentët e programit të Informatikës Ekonomike në Kolegjin Universitar Bedër zhvilluan një vizitë studimore tek Muzeu i Bankës së Shqipërisë, në kuadër të ciklit të aktiviteteve ekstrakurrikulare të parashikuara për këtë vit akademik nga Departamenti i Ekonomisë dhe Biznesit.
Gjatë kësaj vizite, studentët, të shoqëruar nga stafi i departamentit, u pritën nga përfaqësues të Bankës së Shqipërisë. Ata u njohën jo vetëm me ambientet e Muzeut, por edhe me zhvillimet historike dhe etapat e konsolidimit të këtij institucioni të rëndësishëm.
Studentët patën mundësinë të eksplorojnë vlerat historike dhe numizmatike të monedhave, përmes ekspozitave me thesare, koleksione monedhash dhe kartëmonedhash, që kanë qarkulluar në territorin tonë nga antikiteti deri në ditët e sotme.
Nga ana tjetër, ata u njohën me ambientet edukative të Bankës, ku vizitorët mund të informohen në mënyrë interaktive. U diskutua gjithashtu për mundësinë e organizimit të leksioneve dhe aktiviteteve të tjera didaktike në fushën e parasë dhe të ekonomisë në të ardhmen.