Klubi i “Sipërmarrjes dhe Inovacionit” në Kolegjin Universitar Beder me mbështetjen e Departamentit të Ekonomisë dhe Biznesit, finalizuan me sukses konkursin e parë të Start-Up-it “ENTREPRETHON”.
Në këtë konkurs morën pjesë maturantët e shkollave të mesme në të gjithë Shqipërinë, ndërsa studentët e programit të studimit “Informatikë Ekonomike” shërbyen si mentorë në këtë konkurs.
Maturantët pjesmarrës prezantuan idetë e tyre inovatore biznesi përballë jurisë të përbërë nga: Z. Shkëlzen Marku (kryetari i jurisë), themelues dhe CEO i Enterimpact, Bashkëthemelues dhe Drejtor i YSB Balkans; Znj. Faola Hodaj, Drejtoreshë e Drejtorisë së Innovacionit në Bashkinë e Tiranës; Znj. Elda Dollija, përgjegjëse e Departamentit të Ekonomisë dhe Biznesit në Kolegjin Universitar Beder.
Nga 13 projekte shumë cilësore të mirëstudiuara dhe strukturuara, juria përzgjodhi 3 idetë më të mira duke i kurorëzuar me 3 çmime:
🏆 Vendi i parë fitoi Bursë studimi 100% në Kolegjin Universitar Beder + Tablet. Këtë çmim e fitoi maturantja nga Librazhdi, Esmeralda Qytyku, e cila u prezantua me një iniciativë të konkretizuar në qytetin e saj për organizimin e dekoreve për raste ditëlindjesh apo evenimente të tjera duke i mundësuar të gjeneronte të ardhura që në këtë moshë.
🥈 Vendi i dytë fitoi Bursë studimi 80% në Kolegjin Universitar Beder + Smart watch. Këtë çmim e fituan maturantët nga Elbasani, Andi dhe Ardit Zylali, të cilët prezantuan në detaje strukturimin e një rrjeti stacionesh karburanti me vetëshërbim, si një model biznesi që redukton kostot e fuqisë punëtore dhe rrit cilësinë e shërbimit.
🥉 Vendi i tretë fitoi Bursë studimi 60% në Kolegjin Universitar Beder + kufje me bluetooth. Këtë çmim e fituan maturantët e Shkollës së Mesme Teknike Ekonomike në Tiranë, Eno Meko dhe Enso Bejkolli, të cilët prezantuan projektin dhe planbiznesin e tyre “Student World”, një kompleks i cili kishte për qëllim akomodimin e studentëve në ambjente me çmime konkuruese duke përfshirë edhe shumë facilitete në ndihmë të tyre.