Studentët e programit Informatikës Ekonomike në Kolegjin Universitar Bedër këtë javë ndoqën një leksion të hapur në ambientet e Bankës së Shqipërisë, me temë: “Paraja Elektronike”. Leksioni u mbajt nga ekspertja e BSH-së, znj. Valentina Semi, Zv. Drejtore e Departamentit të Sistemeve të Pagesave, Kontabilitetit dhe Financës.
Gjatë prezantimit, znj. Semi shpjegoi tendencën e përdorimit të parasë elektronike dhe rëndësinë e pagesave elektronike duke u bazuar në Ligjin Nr. 55/2020 “Për shërbimet elektronike”.
Studentët u përfshinë në pyetje dhe diskutime mbi zbatueshmërinë dhe avantazhet e ofruara nga shërbimet elektronike në realitetin shqiptar edhe në kushtet e kufizimeve të pandemisë. Në leksion u diskutua edhe mbi çështje të sigurisë së realizimit të pagesave elektronike.