Studentët e programit të Informatikës Ekonomike në Kolegjin Universitar Bedër zhvilluan një vizitë studimore tek Muzeu i Bankës së Shqipërisë, në kuadër të ciklit të aktiviteteve ekstrakurrikulare të parashikuara për këtë vit akademik nga Departamenti i Ekonomisë dhe Biznesit. Në këtë vizitë studentët u shoqëruan nga stafi i departamentit dhe u pritën nga përfaqësues të Bankës së Shqipërisë. Ata u njohën jo vetëm me ambientet e Muzeut, por edhe me zhvillimet e ndryshme historike dhe etapat në të cilat konsolidimi i institucionit ka kaluar.
Në katin e parë, studentët u njohën me Dhomën e Thesarit ose siç njihet ndryshe "Rondo", ku u prezantua koleksioni i pasur numizmatik i Bankës së Shqipërisë. Gjithashtu, ata patën mundësinë të njihen nga afër me vlerat historike dhe numizmatike që mbart monedha, përmes ekspozimit të thesareve, koleksioneve të monedhave dhe kartëmonedhave, që kanë qarkulluar dhe janë përdorur në territoret historike të vendit, nga antikiteti deri në ditët e sotme.
Ndërkohë, në katin e dytë u njohën me historinë e institucionit të Bankës Qëndrore në Shqipëri, roli i saj në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe në garantimin e stabilitetit financiar të vendit, si dhe funksionet kushtetuese.
Nga ana tjetër, studentët u njohën me ambientet e Bankës, të cilat shërbejnë për edukimin e publikut dhe ku vizitorët mund të informohen në mënyrë interaktive. Përmes një bisede përmbledhëse midis përfaqësuesve të dy insitucioneve u la e hapur mundësia për të zhvilluar orë mësimore, leksione apo aktivitete të tjera didaktike në fushën e parasë dhe të ekonomisë.